Me një fitore 2-1 kundër Norvegjisë, Anglia ka prenotuar biletën për në gjysmëfinale të Botërorit 2026, falë një performance të jashtëzakonshme të Jude Bellingham i cili shënoi të dyja golat për “Tre Luanët”.
Të lidhura
None found
Përparimi në raundin pasardhës të kompeticionit u siguron lojtarëve të përfaqësueses angleze edhe shpërblime monetare, të cilat jepen për secilën ndeshje të luajtur me fanellën kombëtare.
Por, këto shuma nuk hyjnë kurrë në xhepat e futbollistëve. Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, që prej vitit 2007, të gjithë reprezentuesit e Anglisë kanë rënë dakord njëzëri që të dhurojnë totalisht shpërblimet e tyre për Fondacionin e Futbollistëve të Anglisë. Ky fondacion i kanalizon ato para drejt nismave dhe çështjeve humanitare.
Kjo praktikë e veçantë pati fillimin e saj gati 20 vjet më parë me iniciatorë legjenda si David Beckham, Gary Neville, Steven Gerrard dhe John Terry, dhe është përcjellë me besnikëri nga çdo gjeneratë e mëpasshme që ka veshur uniformën e Anglisë.
Në harkun e këtyre 19 viteve, lojtarët anglezë kanë kontribuar me afro 20 milionë euro për qëllime bamirësie, duke e kthyer kështu këtë veprim në një nga zakonet më të spikatura të futbollit botëror.
Vlera e shpërblimit për çdo paraqitje te “Tre Luanët” sillet rreth 2400 euro, megjithatë për ta, të luash për vendin është një nder dhe jo një mundësi përfitimi financiar.
Ndaj dhe grupi aktual i futbollistëve e mban gjallë këtë filozofi, duke vijuar t’i kalojnë të gjitha shumat e fituara për bamirësi.
