Armando Broja padyshim që është një nga talentet më të mëdhenj aktualisht shqiptar dhe ndoshta sulmuesi më i mirë që ka pasur ndonjëherë kombëtarja jonë.
Gjithsesi është akoma herët për të folur për një yll botëror edhe pse ai është në rrugën e duhur te Chelsea, pasi ka marrë minuta thuajse në çdo ndeshje, por ende nuk ka gjetur golin.
Dihet që shumë e rëndësishme për një talent, është menaxhimi i asaj që ka dhe që ka fitura për një periudhë shumë të shkurtër.
Në një prononcim për Albeu Sport, gazetari i mirënjohur sportiv, Defrim Methasani “qan” pikërisht këtë hall, menaxhimin e tij.
Ai shprehet se Broja është një talent që i ka ardhur në kohën e duhur Shqipërisë dhe pret që ai të arrijë majat në futbollin botëror dhe padyshim edhe më Kombëtaren.
“Broja është një talent që i erdhi në momentin e duhur Shqipërisë. Problemi është që duhet trajtuar me kujdes. Sepse ndonjëherë kur gjërat të vijnë shpejt është e vështirë t’i menaxhosh. Gjithësesi Broja ka shumë të ardhme, uroj që ta menaxhojë këtë situatë. Vlerësimin e medias ta marrë si një përgjegjësi për t’u bërë më i mirë në të ardhmen dhe jo një ekzaltim të momentit. Ai talentin në këmbë e ka, e rëndësishme është të menaxhojë mendjen me këmbën, t’i bëjë të dyja. Karakteri i tij është i fortë sepse ai është nga Kelmendi, vjen nga malësitë e Shkodrës dhe shpresoj që të ruajë traditën e të parave, mos ta harrojë vendin e tij, gjuhën e tij, Shqipërinë e tij dhe të bëjë maksimumin për vendin e tij. Unë e dua Brojën dhe e shoh si një talent dhe e pret një super e ardhme”, u shpreh Methasani./albeu.com