Suksesi në derbi përballë Inter bëri me krah tifozët e “djallit”, me Milan që “parakaloi” në renditje rivalin e tyre të përjetshëm duke kapur vendin e dytë në Serie A.
Allegri dhe pjesa tjetër e stafit drejtues vijojnë të insistojnë se objektivi i klubit mbetet prezenca në Champions League, por shifrat e vendosin Milan në garë me kohë të plotë për titullin kampion, fundja janë vetëm 2 pikë larg Romës kryesuese.
Të paangazhuar në turnet evropian, Milan është i fokusuar totalisht në Serie A, ky është një bonus shumë i madh, por Allegrin nuk po e lënë të qetë dëmtimet e shumta.
Edhe përballë Lazio-s, tekniku kuqezi duhet të bëjë llogaritë me dy shqetësime të lehta, mbeten për tu vlerësuar gjendja e Saelemaekers dhe Cristian Pulisic.
Të dy lojtarët kanë shfaqur disa shqetësime fizike duke humbur pjesën më të madhe të stërvitjes në grup. Belgu ka një problem në shpinë, ndërsa sulmuesi amerikan ka një lodhje muskulore, për me shumë mundësi të dy do të jenë në fushë kundër Lazio-s.
Gjendja e dy lojtarëve ndez edhe një herë alarmin në Milano, tregon qartë se Allegri ka një grup të limituar dhe nëse realisht do të synojnë titullin, në janar Igli Tare duhet të vihet në lëvizje për të zgjeruar grupin, mbase me nga një përforcim cilësorë në çdo repart. Emergjente mbetet faza ofensive ku Gimenez vijon të ketë shqetësime në kavilje, ndërsa Nkunku nuk është një opsion që ofron garanci.
