Starton “Playmakers”, Duka: Projekti do jetë një sukses!

Projekti “Playmakers” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë e famshme “Disney” dhe UEFA-n ka startuar zyrtarisht sot, duke shënuar një tjetër arritje të suksesshme të qeverisë së futbollit shqiptar, që synon të zhvillojë e masivizojë futbollin e fëmijëve e veçanërisht atë të vajzave.

Në ceremoninë e nisjes së këtij aktiviteti, që u zhvillua sot në Tiranë në ambientet e shkollës “Wilson”, mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Projekti “Playmakers” synon t’i familjarizojë vajzat e vogla me futbollin, duke krijuar hapësira posaçërisht për to duke pasur në fokus, argëtimin, miqësinë dhe futbollin.Instruktorët e FSHF-së do të punojnë me vajzat e moshës 5-8 vjeç, të cilat kanë pak ose aspak përvojë në futboll.

Presidenti Duka ndoqi nga afër një seancë stërvitore me vajzat e shkollës “Wilson” dhe gjatë bashkëbisedimit me to u shpreh i lumtur që më në fund ky projekt u bë pjesë edhe e futbollit shqiptar.

Ndërkaq, Presidenti i FSHF-së theksoi se me nisjen e këtij projekti në Shqipëri, zhvillohen njëkohësisht edhe dy prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit që janë futbolli i fëmijëve dhe futbolli i vajzave. Gjithashtu, ai theksoi se ky projekt do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

“Ne sot jemi për të startuar një projekt, që quhet ‘Playmakers’, ku nëpërmjet personazheve të ‘Disney’, do t’i afrojmë vajzat me futbollin. Por fatmirësisht unë shikoj se vajzat duan më shumë futbollin se personazhet e ‘Disney’-t. Kështu që projekti padyshim do jetë shumë i suksesshëm, është një ndër prioritetet tona, pasi dy janë prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit, futbolli për fëmijë dhe futbolli për vajza. Dhe ku më mirë sesa me këto vajza është nisja e këtij projekti. Pra, realizojmë dy prioritetet tona, edhe fëmijë edhe vajza.
Padyshim që kjo është vetëm dita e parë, ky projekt do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Mësueset e këtij projekti janë trajnuar nga instruktorët e UEFA-s dhe të Federatës së Futbollit dhe jo vetëm këto, por edhe shumë mësuese të tjera në të gjithë Shqipërinë, për t’i bërë të gjitha vajzat të luajnë futboll. Unë uroj që të gjitha vajzat që janë këtu të vazhdojnë të luajnë futboll, për shëndetin tuaj dhe pse jo të bëheni futbolliste profesioniste. Falënderoj shumë drejtoreshën e shkollës dhe pronarin e shkollës ‘Wilson’, që na ka krijuar këto kushte fantastike për këto vajzat e vogla dhe që do ta përkrahin dhe do ta vazhdojmë bashkëpunimin, jo vetëm me këtë projekt për vajzat, por në përgjithësi për zhvillimin e futbollit. Dihet që kjo shkollë është një nga shkollat që e ka përqafuar më shumë sportin në përgjithësi dhe që edukon më shumë kulturat sportive dhe futbollin në veçanti”, – tha Presidenti Duka.

Ky projekt synon t’i afrojë vajzat me botën e bukur të futbollin: të zbatojë një qasje të re, të personalizuar të trajnimit/stërvitjes, që përdor imagjinatën (frymëzuar nga historitë dhe personazhet e Disney) si mjet për stërvitjen dhe të mësuarit e aftësive në futboll; si edhe të përmirësojë aftësimin fiziko-teknik të vajzave dhe të nxisë një marrëdhënie të përhershme me futbollin.

 

Shtuar 25.05.2021 11:05