Skandali me biletat: Barcelona fitoi 3 milionë euro nga tifozët e Frankfurtit, kërkohet largimi i Laportës

Skandali me praninë e një numri të jashtëzakonshëm të tifozëve të Eintrahtit të Frankfurtit në “Camp Nou” është kthyer në një çështje në Barcelonë.

Rreth 30 mijë tifozë gjermanë kanë qenë në Barcelonë, ku 25 mijë prej tyre kanë siguruar një biletë për të qenë në stadium.

Ky numër është shumë i lartë, pasi normalisht në “Camp Nou” duhej të ishin vetëm 5 mijë tifozë gjermanë.
Por ata kanë qenë pesëfish në stadium, duke siguruar bileta në mënyra nga më të ndryshmet.

Një gjë e tillë ka shkaktuar kaos në Barcelonë, me klubin që ka çelur një hetim të brendshëm dhe me tifozët që i janë kundërvënë presidentit të klubit, duke kërkuar madje edhe largimin e tij.

Shenjat e para u dhanë gjatë ndeshjes, ku grupi i ultrasve pas porte braktisi për 10 minuta takimin në shenjë proteste.

Barcelona ka ngritur një hetim të brendshëm për të gjetur se si 25 mijë bileta të destinuara për tifozët e Barcelonës kanë rënë në duart e atyre të Eintrahtit.

Por nga ana tjetër në Barcelonë fërkojnë duart, sepse nga shitja e biletave vetëm për takimin kundër Frankfurtit, klubi katalanas ka fituar plot 3 milionë euro.

Një gjë të tillë e ka pranuar edhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të presidentit Laporta, Elehna Fort.

“Ajo u ka kërkuar ndjesë tifozëve të Barcelonës, por nga ana tjetër ka saktësuar se shuma e përfituar nga shitja e biletave nuk mund të injorohet. Sipas mediave spanjolle, Barça ka fituar 3 milionë euro nga shitja e biletave, shumë që do ta përfitonte në rast kualifikimi në gjysmëfinale.

Për skandalin me tifozët e Eintrahtit ka reaguar dhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta.

Edhe vetë ai e ka cilësuar një turp atë që ndodhi të enjten në mbrëmje.

“Ne nuk kemi mundur të fitojmë dhe duhet ta pranojmë. Situata të tilla ndodhin në futboll. Jemi të trishtuar dhe të zemëruar, por duhet të shkojmë përpara dhe të luftojmë për kampionatin. Më shqetësuesja është se kjo që ka ndodhur ka qenë turp, të shohësh më shumë tifozë kundërshtarë se katalanas.

Nuk mund të përsëritet. Ne kemi një pjesë të mirë të informacionit dhe na duhet kohë për ta përpunuar dhe do të marrim masa. Çfarë ka ndodhur është e papranueshme dhe e turpshme”, ka thënë Laporta. Dhe si masë të parë klubi spanjoll ka bërë me dije kufizimin e shitjes së biletave.


Shtuar 16.04.2022 11:54