Situata e vështirë te Vllaznia, futbollistët mbajnë në punë trajnerin Brdariç

Vllaznia bën prapakthehu dhe anulon vendimin për të shkarkuar trajnerin Thomas Brdariç. Fill pas humbjes me Bylisin, sponsori Alban Xhaferi dhe drejtuesit e klubit kuqeblu bënë një mbledhje me trajnerin dhe i komunikuan vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit, për shkak të rezultateve negative të javëve të fundit.

Megjithatë duket se nata u ka bërë mirë të gjithëve që të qetësohen dhe pas një mbledhjeje tjetër edhe me futbollistët, është vendosur që tekniku gjerman të qëndrojë në detyrë sërish dhe të vijojë punën e nisur verën e kaluar.

Ka qenë vetë Thomas Brdariç që ka konfirmuar vijimin e punës te Vllaznia, teksa ka shtuar se një peshë shumë të madhe në këtë vendim kanë pasur pikërisht futbollistët kuqeblu, të cilët i ka cilësuar si familje për të.

Vllaznia u mposht me përmbysje 1-2 ndaj Bylisit, teksa në 9 javët e fundit ka regjistruar vetëm një fitore, 4 humbje e 4 barazime, një tregues i qartë i krizës së rezultateve që ka prekur kuqeblutë.

Por pavarësisht kësaj, shkodranët vijojnë të kryesojnë me 43 pikë, kjo falë një ecurie fantastike që treguan në 15 javët e para të sezonit, natyrisht edhe falë punës së mirë të bërë nga gjermani Brdariç dhe ndihmësi i tij Plori.

Tani kuqeblutë duhet të lënë pas gjithçka dhe të mendojnë për sfidën e radhës, që janë çerekfinalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Korabit të mërkurën në “Loro Boriçi” e më pas transferta ndaj Kastriotit në kampionat.

Shtuar 13.03.2021 04:03