Shkoi në një qendër tregtare për të bërë pazare, Riberisë i vjedhin makinën nga parkimi

Shtatë muaj pas vjedhjes së ‘Mini Countryman’ të Khvicha Kvaratskhelia, yllit të Napolit, dhe pak ditë pas asaj të ‘Range Rover’ të Kaio Jorge, brazilianit të Juventusit, një tjetër figurë e njohur e futbollit italian duhet të përballet me grabitësit kriminelë.

Në qendrën tregtare ‘Maximall’ të Salernos, dy persona vodhën një ‘Fiat 500’ në pronësi të Franck Ribéry, i cili aktualisht është pjesë e stafit teknik të klubit të “granatave”. Dy kriminelët nuk e dinin se kush e kishte makinën dhe vepruan të pashqetësuar gjatë grabitjes së saj.

Nëpërmjet hetimeve u bë e mundur gjetja e identitetit të njërit prej tyre, i cili u arrestua nga karabinierët e Pontecagnano-s, ndërkohë që bashkëpunëtori është aktualisht në kërkim dhe ka ikur me makinën që ka qenë objekt i vjedhjes.

Automjeti nuk është i regjistruar direkt në emrin e ish-futbollistit francez, por të një të afërmi të tij. Ribery ishte brenda qendrës tregtare gjatë vjedhjes për të bërë blerje dhe e kuptoi se çfarë kishte ndodhur vetëm kur u kthye në parking për të marrë makinën. Ajo nuk ndodhej më aty. “Skifterat” e kishin rrëmbyer atë…


Shtuar 9.06.2023 19:55