Shehi: I lumtur se nuk e diskutuam ndeshjen, skuadra nuk varet nga individët

Tirana fitoi 2-0 ndaj Egnatias falë golave të Redon Xhixhës dhe Engjëll Hotit. Bardheblutë siguruan fitoren e 14-të në Abissnet Superiore, kryesojnë me 6 pikë mbi Laçin dhe Orges Shehi ndihet mirë për ecurinë e djemve të tij. Trajneri i Tiranës foli pas ndeshjes për “Gol pas Goli” në Supersport, ku ndër të tjera tha se i pëlqeu fakti që skuadra nuk kaloi në aventurë, por u tregua e duruar, ndërsa shton se Devid do ta ndihmojë shumë ekipin kur të jetë ingranuar edhe më mirë.

Tiranë cinike- “Kundërshtari sot ishte i vështirë se mbrohej me shumë forca afër portës së vet dhe duhet durim e të qarkullosh topin shpejt. E çuam ndeshjen aty ku e donim, pas golit gabuam duke i dhënë mundësi kundërshtarit. Më pëlqeu mentaliteti dhe kur kundërshtari ishte me 10 vetë duhej të ishim të duruar. Por, nuk e vumë rezultatin në diskutim dhe kjo më kënaq”.

Varet skuadra nga një apo dy emra, apo forca e grupit mbizotëron? “Dihen vlerat e Hoxhallarit dhe Seferit që janë lojtarë kyç të formacionit, më pëlqen që skuadra nuk varet nga individët dhe kur mungon ndonjë, të tjerët bëjnë mirë. Është për t’u admiruar kjo pjesë”.

Në pjesën e dytë me një lojtar më shumë mund të luhej për Devid? “Devid është kryesor, por e ka të vështirë të gjejë hapësira kur kundërshtari mbyllet. Nuk duhet të luajmë për individë të veçantë, do të na ndihmojë shumë ai. E rëndësishme është që po ingranohet, por do kohën e vet”, u shpreh Shehi.


Shtuar 14.02.2022 22:08

Tags: ,