Në fillim të këtij sezoni Kyle Walker zbuloi se yjet e Manchester Cityt dërgojnë Bernardo Silvan për t’i kërkuar Pep Guardiolës një ditë pushim.
Pasi City mundi Chelsean 1-0 në gjysmëfinalet e FA Cup të shtunën, çështjet e orarit të stërngarkuar dhe mirëqenia e lojtarëve u vunë përsëri në qendër të vëmendjes.
City u detyrua të luante ndeshjen më pak se 72 orë pasi humbja e tyre në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Real Madrid shkoi në kohë shtesë dhe penallti.
Pas ndeshjes, ylli i Cityt, Bernardo Silva dhe trajneri Pep Guardiola shprehën zemërimin dhe situatën e tyre.
Guardiola mbajti një qëndrim të ngjashëm në intervistën e tij pas ndeshjes me BBC Sport, duke thënë: “Është e papranueshme të na lënë të luajmë sot. Është e pamundur, për shëndetin e lojtarëve. Nuk është normale. Është e papranueshme”.
Për shkak të orarit të tyre të ngjeshur, City luan çdo tri ditë për pjesën më të madhe të sezonit.
Kur yjet e tyre kanë nevojë për pushim, kapiteni i klubit – Kyle Walker zbuloi se Silva është ai që i dërgojnë Guardiolës për t’i kërkuar pushim.
“Bernardo Silva ka një marrëdhënie kaq të mirë me trajnerin, saqë kur duam ditë pushimi, i kërkojmë të shkojë dhe të flasë me Pep”, deklaroi mbrojtësi anglez në fillim të këtij sezoni.
/Telegrafi/