Gjithnjë shumë tifozë kosovarë kanë shprehur dëshirën e tyre që Besnik Hasi të emërohet trajner i Kombëtares së Kosovës.
Por, rrethanat nuk ishin as të përafërta pasi ose posti i selektorit të Kosovës ishte i zënë ose vet Hasi ishte i zënë në ndonjë klub të huaj.
Por, tani Hasi mund të jetë një opsion i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila qe një kohë të gjatë është në kërkim të një trajneri për Kombëtaren e Kosovës.
Besnik Hasi shumë shpejt pritet të largohet nga klubi i Arabisë Saudite, Al-Ahli.
Gazetari portugez, Cesar Luis Merlo, njofton se klubi arab pritet këto ditë ta shkarkoj Besnik Hasin për ta zëvendësuar me ish trajnerin portugez të Benficas, Jorge Jesus.
Ky i fundit thuhet se i ka nis negociatat me arabët.
“Al-Ahli do ta shkarkoj trajnerin Besnik Hasi.
Andaj po i bën një ofertë miliona dollarëshe Jorge Jesusit, i cili pritet t’i përgjigjet në ditët e ardhshme”, ka shkruar gazetari Merlo.
Në rast që Jesus pranon dhe Al-Ahli shkarkon Hasin, atëherë ky i fundit do jetë opsion real për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Kryetari Agim Ademi para disa ditëve ka konfirmuar se është i interesuar që Hasi të jetë përzgjedhës i Kosovës, mirëpo për momentin nuk është e mundur, shkaku i kontratës që ka ky i fundit me klubin Al-Ahli.