Ronaldo synon trofe të tjerë pas rikthimit te Man United

Cristiano Ronaldo tha se ka një “dashuri të pafund” për Manchester Unitedin pasi nënshkroi kthimin e tij në “Old Trafford” nga Juventusi, të martën. Unitedi ka siguruar shërbimet e fituesit të pesëfishtë të “Topit të Artë” për një tarifë fillestare prej 15 milionë eurosh që mund të rritet në 23 milionë euro sipas shifrave të publikuara nga klubi italian. 36-vjeçari ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me një mundësi vazhdimi edhe për një vit.

Ronaldo bëri emrin e tij në skenën botërore të futbollit për gjashtë vjet tek Unitedi mes vitit 2003 dhe 2009 para se të transferohej te Real Madridi për një shifër rekorde prej 94 milionë eurosh. Kapiteni i Portugalisë, shënoi 118 gola në 292 ndeshje gjatë periudhës së tij të parë në United, duke fituar trofeun e tij të parë të “Topit të Artë” dhe Ligën e Kampionëve, si dhe tre tituj kampioni të Premier Leagues, një FA Cup dhe dy Kupa të Ligës.

“Të gjithë ata që më njohin, e dinë për dashurinë time të pafundme për Manchester Unitedin. Vitet që kam kaluar në këtë klub ishin absolutisht të mahnitshme dhe rruga që kemi bërë së bashku është shkruar me shkronja të arta në historinë e këtij institucioni të madh dhe mahnitës”, ka shkruar Ronaldo në Instagram. “Unë as nuk mund të filloj t’i shpjegoj ndjenjat e mia tani, pasi shoh kthimin tim në ‘Old Trafford’ të shpallur në të gjithë botën. Është si një ëndërr e bërë realitet, pas të gjitha kohërave që u ktheva për të luajtur kundër Unitedit, dhe madje edhe si kundërshtar, të kem ndjerë gjithmonë një dashuri dhe respekt të tillë nga tifozët në tribuna”.

Ronaldo pritet të bëjë debutimin e tij të dytë te Unitedi në ndeshjen kampionale kundër Newcastles më 11 shtator. Por tifozët e Unitedit tashmë janë në festë me ardhjen e Ronaldos, pasi ata brohoritën emrin e tij dhe mbajtën një karton të prerë të portugezit në fitoren 1:0 ndaj Ëolverhamptonit të dielën.

“Historia është shkruar në të kaluarën dhe historia do të shkruhet edhe një herë”, shtoi Ronaldo. “Ju keni fjalën time! Unë jam këtu! Unë jam kthyer aty ku duhet! Le ta bëjmë atë të ndodhë edhe një herë!”.

Trajneri i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, luajti së bashku me yllin e tij të ri gjatë periudhës së tij të mëparshme në Angli, por ishte ish-shefi i tij Alex Ferguson, ai që luajti një rol të madh në bindjen e Ronaldos që të kthehej në klub pavarësisht interesimit nga kampioni i Premier Leagues, Manchester City.

“Sir Alex, kjo është për ju”, tha Ronaldo.

Investimi në Ronaldon, i cili do të bëhet lojtari më i paguar në Premier League, shton presionin mbi Solskjaerin për t’i dhënë fund pritjes së tij për të fituar një trofe të madh që kur mori drejtimin e Manchester Unitedit në dhjetor të vitit 2018. Unitedi gjithashtu ka transferuar edhe ish-shokun e Ronaldos te Real Madridi, Rafael Varanen, për të forcuar mbrojtjen, si dhe shpenzoi 85 milionë euro për të sjellë Jadon Sanchon nga Borussia Dortmundi në tentimin për të fituar titullin e parë në Premier League që nga viti 2013.

“Kthimi i Ronaldos demonstron tërheqjen unike të këtij klubi dhe unë jam absolutisht i kënaqur që ai po kthehet në shtëpi, aty ku filloi gjithçka”, tha Solskjaer.

Futbollistët e Solskjaerit kanë marrë shtatë pikë nga tri ndeshjet e tyre të para në Premier League këtë edicion, vetëm dy më pak se skuadra e Tottenhamit që prinë në tabelë. Gjigantët anglezë, gjithashtu nuk e kanë fituar Ligën e Kampionëve që nga viti 2008, kur Ronaldo shënoi gol në finale kundër Chelseat në Moskë. Sidoqoftë, përvoja e Ronaldos në Itali shërben si një paralajmërim për Manchester Unitedin se as aftësia e tij për të shënuar gola nuk sjell garanci suksesi në Evropë. Në tre sezonet e tij në Torino, Juventusi nuk arriti asnjëherë përtej çerekfinales së Ligës së Kampionëve – duke u eliminuar nga Ajaxi, Lyoni e Porto. Megjithatë, Ronaldo ishte ende në krye të listës së golashënuesve në Serie A sezonin e kaluar dhe arriti ta fitoj “Këpucën e Artë” në Kampionatin Evropian, pavarësisht se luajti vetëm katër ndeshje pasi Portugalia u eliminua në 1/8 e finales. Ronaldo ishte pjesë e Juventusit prej verës së vitit 2018, kur u bashkua nga Real Madridi për 112 milionë euro dhe për ekipin italian, në total shënoi 101 gola dhe ka fituar pesë trofe.


Shtuar 31.08.2021 22:02