Ronaldo barazoi rekordin, reagon Ali Daei: I nderuar për këto fjalë nga një idol si ti (FOTO LAJM)

Dje, Cristiano Ronaldo me dy golat ndaj Francës, barazoi rekordin historik për më së shumti gola në histori të Kombëtareve.

Portugezi ka shënuar plotë 109 gola, aq sa ka pasur edhe legjenda e Iranit, Ali Daei.

Fillimisht, Daei përmes një postimi në Instagram e uroi CR7 për rekordin e ri.

“Urime për Cristianon që tani është një gol larg thyerjes së rekordit tim të golashënuesit numër një në Kombëtare. Jam i nderuar që ky rekord i pabesueshëm do t’i takojë Ronaldos, kampion i madh i futbollit, humanist i kujdesshëm që inspiron gjithë botën. Vazhdo”, shkroi ai.

E këtij postimi i ka kthyer përgjigje edhe ylli portugez, që tha se është i nderuar për fjalët e mira nga një idoll si iraniani.

“Kampionët e vërtet mbesin kampion gjithmonë. Jam shumë krenar për këto fjalë të mëdha nga një idoll si ti. Faleminderit Ali Daei”, shkroi ai.

Ndërkohë, Ronaldo pritet që së shpejti ta thyejë edhe këtë rekord.


Shtuar 24.06.2021 11:14