River Plate do t’u shesë tifozë pjesë të stadiumit “Monumental” (FOTO LAJM)

Me përfundimin e rinovimit të stadiumit, River Plate ka bërë një lëvizje të zgjuar në fushën e marketingut. “Millionarios” do të shesin fragmente të pistës atletike që dikur rrethonin fushën për tifozët e tyre, si dhe pjesë të tokës që përbënin terrenin e stadiumit legjendar të klubit, “Monumental”.

Dy fushatat e shitjeve u quajtën përkatësisht “Pista de Gloria” dhe “Tierra de Gloria” teksa tifozët që janë anëtarë të regjistruar në klubin RiverID, do të marrin një pjesë të pistës falas, ndërsa pjesa tjetër e tifozëve dhe atyre që duan një pjesë historike nga “Monumental” mund t’i blejnë ato në faqen zyrtare të kompanisë.

“Pas kaq shumë kampionatesh,kupave dhe sukseseve me kujtime të paharrueshme, ne besojmë se gjithçka e shenjtë meriton një vend të veçantë dhe nuk ka vend më të mirë se shtëpitë e tifozëve tanë. Ideja është të japim një pjesë të historisë për ata që kanë qenë gjithmonë atje. Pak nga ajo lavdi dhe madhështi që na dallon”, tha Rodolfo D’Onofrio, presidenti i River Plate, duke komentuar iniciativën e kompanisë që do të shesë pjesët e stadiumit.

“Monumental” do të jetë një nga stadiumet ku do të luhen ndeshjet e Copa America dhe me përfundimin e këtij eventi, klubi menjëherë do të nisë ristrukturimin e një nga impianteve më të lavdishme në futbollin argjentinas dhe atë botëror.


Shtuar 28.05.2021 21:01