Richarlison në gjendje të rëndë psikologjike: Largova nga jeta ime interesaxhinjtë

Richarlison po kalon një periudhë të vështirë në karrierën e tij. Sulmuesi brazilian ka zbuluar se do të kërkojë ndihmë psikologjike sapo të rikthehet në Angli tek Tottenhami, pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtares.

Lojtari i Spurs u largua i përlotur pasi u zëvendësua në fitoren e Brazilit 5-1 ndaj Bolivisë, në ditën e shtunë. Richarlison shpërdoroi një mundësi të artë që të shënonte para se të dilte nga fusha e lojës. 26-vjecari u fokusua nga kamerat me lot në sy sapo u ul në pankinë.

”Kam kaluar një periudhë të vështirë në muajt e fundit. Tani gjërat janë kthyer në normalitet. Më është dashur të marr një vendim shumë të vështirë. Kam larguar nga jeta ime njerëzit që kishin synim vetëm anën time financiare…

Jam i sigurt që gjërat do të rregullohen. Me rikthimin tek Tottenhami do të vijnë dhe golat, padyshim. Në Angli do të kërkoj ndihmë nga një psikolog, do të bëhem më i fortë”, theksoi futbollisti brazilian.

Sulmuesi nuk zbuloi detaje të tjera nga problemet e tij jashtë fushës, por Globo raporton që ai ka ndërprerë bashkëpunimin e tij me agjentin Renato Velasco, me të cilin ka punuar që në fillimin e karrierës së tij.


Shtuar 13.09.2023 22:44