Trajneri i Kombëtares Shqiptare flet për tre sfidat e muajit qershor me Islandën, Izraelin dhe Estoninë, listën e 26 emrave të thirrur prej tij në skuadër, mungesat, rikthimet dhe ambicjet e skuadrës kuqezi. Nga Durrësi ku po grumbullohet skuadra Edoardo Reja komentoi fillimisht zgjedhjet e bëra dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“Presim ndeshje me nivel të lartë sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme sepse duam të fitojmë grupin me çdo kusht. Në ndeshjet e muajit mars skuadra ishte në gjendje shumë të mirë. Duhet të vazhdojmë kështu dhe të jemi sa më mirë në aspektin fizik pasi ky është problem më i madh me të cilin mund të përballemi. Ata që do të jenë në fushë duhet të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme për të marrë maksimumin nga këto dy ndeshje.
Duhet të jemi shumë të përqëndruar dhe ky është një detaj shumë i rëndësishëm sepse unë kam në dispozicion një skuadër me shumë nivel dhe lojtarë që janë gati. Kam bindjen se të gjithë do të luajnë në maksimum. Më duket se jemi në formë të mirë psikologjikisht.
Duhet të bëjmë shumë kujdes edhe në aspektin taktik dhe teknik. Mund të kemi edhe ndonjë mungesë por do të bëjmë një analizë me të gjithë skuadrën në dispozicion. Është shumë e rëndësishme që të përdorim kokën dhe të jemi të përqëndruar.
Kemi sulmues shumë në formë që shënojnë me skuadrat e tyre por ekipi duhet të jetë në ekujlibër. Duhet pasur shumë kujdes në të gjitha repartet sepse duhet të mendojmë edhe për mbrojtjen. Ndeshjet nuk fitohen vetëm më sulmin. Duhet të jemi të fokusuar në të treja repartyet për të marrë rezultate maksimale”.
Reja ndalet më pas edhe te disa emra të veçantë;
“Strakosha po kalon një moment të vecantë sepse është në kërkim të një kontrate dhe më ka kërkuar që të mungojë për këto dy ndeshje. Është në kërkim të një ekipi dhe nuk ka vendosur ende prandaj mund të them që ishte kërkesa e tij. Nuk dua ta komplikoj edhe më shumë situatën e tij por ne kemi në përbërje tre portierë shumë të mirë si Berisha, Selmani dhe Kastrtati tek të cilët kam shumë besim. Po i ndjek të gjithë lojtarët e rinj. Kemi shumë lojtarë të tillë dhe unë dua që t’i kem në fokus dhe dua t’u jap që të gjithëve mundësinë siç bëra me Asllanin që sot është një nga njerëzit më të përfolur të merkatos së futbollit në Itali.
Manaj ka pasur disa probleme në shpatull dhe nuk ishte në gjendjen e duhur fizike. Mund të them të njëjtën gjë edhe për Keidi Baren. Janë dy lojtarë që për shkak të problemeve që po kalojnë nuk mund të na ndihmojnë në këto dy ndeshje. Unë kam shumë besim te kjo skuadër dhe tani duhet të bëjmë hapin e madh. Këto dy ndeshje do të tregojnë vlerën e vërtetë të kësaj skuadre, nuk kemi më alibi. Broja ka rezultuar me Covid-19 dhe do të bëjë prapë një test dhe ne shpresojmë ta kemi të paktën për ndeshjen me Izraelin. Po e ndjekim me kujdes gjendjen e tij”.
Në fund, numri 1 i stolit të Kombëtares Shqiptare, rithekson edhe një herë rëndësinë e dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
“Nëse do të fitonim grupin pasi kemi kaluar nga C në B dhe të shkojmë në A, kjo do të ishte një arritje e madhe dhe një motiv krenarie për të gjithë, stafin dhe lojtarët e tifozët. Kur e nisa këtë punë skuadra ishte te 50 % të mundësive dhe tani jemi në 90 % por për të shkuar në 100 % duhet më shumë punë. Islanda ka një problematikë sepse është transfertë e largët por ne tashmë jemi mësuar me të tilla udhëtime. Do të ndeshemi me dy skuadra shumë të forta por me karakteristika të ndryshme. Islanda është më e fortë fizikisht ndërsa Izraeli teknikisht. Jemi gati të përballemi me ta dhe këtë e kemi treguar në ndeshjen me Spanjën”.