Como ka rinovuar kontratën e sulmueses Roberta Picchi, pasi futbollistja 34-vjeçare është diagnostikuar me kancer të gjirit.
Ekipi italian, që këtë sezon do të luajë për herë të parë në elitën e futbollit të femrave në Itali, bëri të ditur se marrëveshja e Picchit është zgjatur deri në fund të sezonit 2027/28. Ky vendim është pjesë e “angazhimit të vazhdueshëm” të klubit për ta mbështetur lojtaren në këtë periudhë të vështirë.
Të lidhura
None found
Picchi pritet ta nisë trajtimin së shpejti, ndërsa stafi mjekësor i Comos do të punojë në koordinim me specialistët që po ndjekin gjendjen e saj.
“E gjithë familja e Como 1907 qëndron pranë Robertës dhe do t’i japë asaj dhe familjes së saj të gjithë mbështetjen e nevojshme në muajt në vijim”, thuhet në deklaratën e klubit.
“Në këtë fazë, kërkojmë që të respektohet privatësia e Robertës, teksa ajo përqendrohet në trajtimin dhe rikuperimin e saj.”
Sulmuesja ishte pjesë e Comos që sezonin e kaluar fitoi Serie B. Skuadra e mbylli kampionatin 11 pikë përpara Lumezzanes, duke siguruar për herë të parë në histori promovimin në kategorinë më të lartë të futbollit italian për femra.
Edhe vetë Picchi ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh prekës.
“Asgjë nuk duhet konsideruar kurrë e mirëqenë dhe ndihem me fat”, shkroi ajo.
“Tani është koha të luaj ndeshjen time, por do të kthehem edhe më e vendosur.”
Como, me Selena Mazzantini në drejtim, do ta hapë sezonin e ri më 26 shtator në përballjen ndaj Milanit.
