La Liga ka bërë publike Limitet e Kostos së Skuadrës (LCPD) pas mbylljes së merkatos së verës, duke pasqyruar hapësirën financiare që klubet kanë në dispozicion për të mbuluar shpenzimet e ekipeve të tyre.
Të lidhura
None found
Real Madridi kryeson bindshëm renditjen, me një kufi të vendosur në 832 milionë euro. Kjo shifër përbën një rekord të ri për klubin madrilen, i cili ka rritur ndjeshëm kapacitetin e tij financiar në krahasim me afatet e mëparshme, kur limiti ishte 761 milionë euro.
Barcelona pozicionohet e dyta dhe vijon të përmirësojë gjendjen ekonomike. Katalanasit tashmë operojnë sipas rregullit 1:1, ndërsa kufiri i tyre financiar ka shkuar në 582 milionë euro, nga 432 milionë euro që ishte në merkaton e dimrit. Megjithatë, diferenca me Real Madridin mbetet 250 milionë euro.
Atlético Madridi renditet në vendin e tretë, me një limit prej 361 milionë eurosh. Edhe klubi “rojiblanco” ka regjistruar rritje, pasi në afatin kalimtar të dimrit dispononte një kufi prej 336 milionë eurosh.
Shifrat tregojnë se Real Madridi, Barcelona dhe Atlético Madridi kanë një avantazh të dukshëm ndaj pjesës tjetër të kampionatit spanjoll sa i përket mundësive financiare për ndërtimin dhe menaxhimin e skuadrave.
Sevilla gjendet në fund të renditjes, me vetëm 20 milionë euro limit. Më sipër saj janë Málaga me 33 milionë euro dhe Alavés me 43 milionë euro. Deportivo, që është rikthyer në elitë, ka një kufi prej 64 milionë eurosh, duke kaluar disa skuadra të tjera të La Ligës.
Limiti i përcaktuar nga La Liga nuk lidhet vetëm me pagat e lojtarëve. Në të përfshihen pagat fikse, bonuset, kontributet për sigurimet shoqërore, komisionet e agjentëve dhe amortizimi i shpenzimeve të transferimeve.
Për përcaktimin e këtyre kufijve merren parasysh të ardhurat e klubeve, shpenzimet jo-sportive, detyrimet financiare dhe humbjet e bartura nga sezonet e mëparshme.
