Erling Haaland ka reaguar në rrjetet sociale pas fitores së Manchester Cityt në udhëtim ndaj Newcastle me rezultat 3-2, me theks të veçantë tek performanca fantastike e Kevin De Bruyne.
City kaloi në avantazh përmes Bernardo Silvas, por pak më vonë vendasit e rikthyen rezultatin në të mirë të tyre, falë golave të Alexander Isak dhe Antony Gordon.
Pep Guardiola më pas vendosi që në pjesën e dytë të inkuadrojë në lojë Kevin De Bruynen, i cili luajti minutat e para në Ligën Premier që nga gushti i vitit të kaluar.
Impakti i belgut ishte i menjëherëshëm, pasi që me t’u futur në lojë ai shënoi për të barazuar shifrat në 2-2 dhe pastaj asistoi tek goli i fitores pak çaste para përfundimit të takimit.
Haaland në anën tjetër është duke u rikuperuar dhe nuk arriti që të ishte pjesë e ekipit që udhëtoi në “St James’ Park”.
Në vend të kësaj ai vendosi që t’i argëtojë tifozët me përmbajtjen që e publikoi në rrjetin social Instagram.
Ai fillimisht postoi një foto pas përfundimit të ndeshjes, duke vendosur një kurorë mbi kokën e De Bruynes pas performancës së tij.
Më vonë ai postoi një foto duke festuar fitoren e madhe, ku aty shihej një gotë me pak qumësht të shoqëruar me alkool. /Telegrafi/