Raiola “kërcënon” Milanin, refuzon rinovimet e Donnarummës dhe Romagnolit

Ecuria e Milanit në këtë sezon ka qenë për duartrokitje. Kuqezinjtë kryesuan Serinë A përgjatë gjithë fazës së parë dhe u shpallën kampionë dimri ndërsa aktualisht ndodhen të dytët, 6 pikë pas Interit por janë shumë pranë arritjes së objektivit sezonal që është kualifikimi në Champions League. Milani me shumë gjasa do të rikthehet në kompeticionin më madhor për klube aty ku mungon që nga sezoni 2013-2014 dhe për t’u përfaqësuar denjësisht në Champions ka nevojë për të mbajtur në skuadër lojtarët e tij më të mirë. Aktualisht vëmendja e drejtuesve të klubit kuqezi është te rinovimet e kontratave të dy emrave me peshë si portiere Giggio Donnarumma dhe kapiteni Alesio Romagnoli. Duke iu referuar raportimeve të gazetarit Gianluca Di Marzio Mino Raiola menaxheri i Donnarummës ka refuzuar deri tani dy oferta për rinovimin.

Fillimisht klubi kuqezi i ofroi lojtarit një kontratë me 6 milionë euro në sezon plus 1 milionë bonus në rast kualifikimi në Champions por Raiola e hodhi poshtë dhe më pas Milani e rriti pagën bazë në 7 milion euro. Sërish përgjigje negative dhe lëvizja e Mino Raiola ka qenë e qartë, paga në kontratën e re duhet të jetë 12 milion euro në sezon. Për momentin kuqezinjtë janë ndalur dhe gjithçka është pezull, edhe pse vetë dëshira e portierit është të qëndrojë.

Milani duhet të merret me Mino Raiolën edhe për kapitenin Alessio Romagnoli, të cilit i përfundon kontrata më 30 qershor të vitit 2022. Për të rinovuar kërkohet një pagë që kap shifrën e 6 milionë eurove në sezon, dyfish nga sa përfiton aktualisht mbrojtësi italian. Edhe për Romagnolin bisedimet për rinovimin e kontratës pritet të zgjasin për disa muaj pasi pretendimet e futbollistit janë shumë më të larta nga paga që i ofrojnë për momentin drejtuesit e Milanit. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë javëve në vijim por për momentin nuk ka dritë jeshile në bisedimet për rinovimet e kontratave të Donnarummës dhe Romagnolit te Milani.


Shtuar 1.04.2021 10:35