PSG fajëson Real Madridin e epokës “Galactico” për nxitjen e inflacionit në merkato

Sekretari i Përgjithshëm i PSG-së, Victoriano Melero, ka akuzuar Real Madridin se ka shkaktuar inflacion në futboll me politikën e tyre të transferimeve në dekadën e parë të mijëvjeçarit.

Marrëdhëniet mes PSG-së dhe Real Madridit janë ftohur muajt e fundit, veçanërisht si pasojë e negociatave për Kylian Mbappé. Nga viti 2011 e tutje, skuadra e Ligue 1 filloi të revolucionarizojë futbollin botëror me nënshkrime shumë milionëshe që i ka ndihmuar ata të vendosen në mesin e skuadrave më të mira në Evropë. Është një politikë që është kritikuar shumë në botën e futbollit, por për Victoriano Melero, Sekretar i Përgjithshëm në PSG, gjithçka filloi me Real Madridin.

“Situata inflacioniste brenda ekosistemit të futbollit nuk u shkaktua nga PSG, por nga Real Madridi i epokës galaktike në vitet 2000. Paris Saint-Germain, Manchester City dhe Monaco, nëpërmjet aksionarëve të tyre, nuk janë përgjegjës për situatën aktuale me inflacionin,” tha Melero gjatë Asamblesë Kombëtare të PSG-së.

Sekretari i Përgjithshëm i PSG-së kritikoi gjithashtu Fair Play-in Financiar për provokimin e laissez-faire brenda futbollit. “Investimi duhet të lirohet në mënyrë që klubet e reja të mund të shfaqen, dhe kjo është diçka që nuk ka ndodhur me Fair Play-in Financiar. Është një mekanizëm që i ka lejuar klubet historike të qëndrojnë në krye. A duam vërtet një ekosistem të mbyllur? ” Në Francë, fjalët e tij u morën si një sulm ndaj Superligës Evropiane të propozuar./h.ll/albeu.com


Shtuar 5.12.2021 09:00