Pret ftesën për Euro 2024, Mirlind Daku “sms” të qartë Sylvinhos

Mirlind Daku po kalon një formë fantastike te Rubin Kazan në Rusi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po merr pjesë në shumicën e golave të ekipit rus, duke i shënuar vetë ato apo duke asistuar.

Tashmë, 26-vjeçari është në pritje të një ftese nga Sylvinho, për Euro 2024.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, Daku ka nënkuptuar që e meriton ftesën nga Kombëtarja për Europianin, duke theksuar se ka bërë mirë dhe performancat e tij kanë qenë në rritje.

Në këtë mënyrë, disa ditë para shpalljes së listës nga Sylvinho, Daku i ka dërguar ‘sms’ trajnerit brazilian.

“Përpiqem të tregoj një performancë të mirë dhe të bëj aksione efektive. Jam i lumtur me lojën që bëj dhe paraqitjet e mia. Isha i bindur se do të tregoja një performancë të tillë.

Kam qenë gjithmonë i fokusuar te përgatitje ime dhe te rezultatet e ekipit. Kur erdha në Rusi, nuk isha gati për këtë nivel konkurrimi në kampionat.

Por, erdha në formë përmes zhvillimit të ndeshjeve”, është shprehur bomberi me origjinë nga Gjilani.


Shtuar 22.05.2024 19:15