Policia spanjolle shpjegon grabitjet e futbollistëve

Grabitjet e futbollistëve dhe shtëpive të tyre në Spanjë janë kthyer në një telash të madh në vitet e fundit.

Brenda pak ditësh, viktima u bënë Samu Kastijeho, Robert Levandovski dhe Pierr Emerik Aubamejang.

Kasijehos hajdutët i hynë në shtëpi ndërsa po luante një ndeshje me Valencian, duke vjedhur gjëra me vlerë.

Levandovskit hajdutët i morën orën nga dora ndërsa ishte në makinë dhe po firmoste autografe në dyert e klubit të Barcelonës.

Ndërsa Aubamejang është grabitur mbrëmë vonë në darkë në shtëpinë e tij nga persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët i kanë marrë para dhe sende me vlerë.

Ngjarje shumë ët rënda, të cilat policia spanjolle i lidh me faktin se duke qenë persona publik dhe me një jetë publike mjaft të dukshme, pasi dihet kur janë në stërvitje, apo në ndeshje, bëhet e thjeshtë që të hyhet në banesat e tyre.

“Janë objektiva të thjeshtë për t’u kontrolluar. Tërheqin shumë vëmendjen. Kanë makina luksi, bizhuteri, orë, rrjete sociale…”, kanë shpjeguar burime nga policia spanjolle për ”Marca”.

Policia sidomos ka paralajmëruar lojtarët që të mos lejojnë këdo në shtëpitë e tyre.

“Janë të rinj që shpesh fusin persona në shtëpi, të cilët më pas tregojnë jashtë saj atë që kanë parë”, shprehen burimet e policisë.

Shumë klube, për të kontrolluar disi këtë situatë, kanë udhëzuar lojtarët dhe familjarët e tyre të mos postojnë asnjëherë ambientet e brendshme të shtëpive të tyre, për të mos ua bërë më të thjeshtë hajdutëve që të dinë ku janë të pozicionuara disa nga gjërat që kanë.