Jose Mourinho është prezantuar sot, të martën, si trajneri i ri i Real Madridit, në një ceremoni të pazakontë të zhvilluar pa praninë e publikut. Eventi u mbajt pas dyerve të mbyllura dhe u përcoll vetëm përmes disa pamjeve të transmetuara nga Real Madrid TV, kanali zyrtar i klubit.
I shoqëruar nga presidenti Florentino Perez, trajneri portugez firmosi kontratën dhe pozoi me fanellën e personalizuar të Real Madridit. “Po kthehem në shtëpi”, deklaroi Mourinho pas rikthimit të tij te klubi madrilen.
Të lidhura
None found
Kjo ishte ceremonia e parë e prezantimit të Real Madridit gjatë kësaj vere. Përveç trajnerit, klubit i janë bashkuar gjithsej gjashtë lojtarë, të cilët do të prezantohen sipas të njëjtës procedurë: në ambiente të mbyllura, pa tifozë dhe përfaqësues të mediave, me pjesëmarrjen vetëm të drejtuesve të klubit dhe rrethit më të afërt të secilit lojtar.
Pas përfundimit të ceremonisë, Mourinho dha një intervistë të shkurtër për mediat zyrtare të klubit, ku theksoi se rikthimi i tij në Madrid ka një rëndësi më të madhe se hera e parë, për shkak të lidhjes emocionale dhe personale.
“Kur mbërrita për herë të parë te Real Madridi, ajo ishte pika më e lartë e suksesit tim profesional. Këtë herë, krahas aspektit profesional, përjetoj edhe një dimension emocional e personal, ndaj mendoj se kjo fazë është më e veçantë se e para”, u shpreh fillimisht Mourinho.
Ai shtoi se objektivi kryesor është t’i shërbejë klubit dhe të krijojë të njëjtin mentalitet te të gjithë anëtarët e tij në Valdebebas. “E rëndësishme është të punosh për Real Madridin dhe dua që kjo të vlejë për të gjithë në Valdebebas. Tifozëve mund t’u them vetëm se jam njëri prej jush. Kështu kam qenë gjithmonë që nga dita kur u largova”, tha trajneri.
“Fjalët nuk janë të mjaftueshme, sepse kjo është një lloj misioni. Nuk bëhet fjalë për veten time, as për të menduar nëse do të fitoj shumë apo pak. Jam këtu për t’i ndihmuar të gjithë të përmirësohen: lojtarët, stafin dhe të gjithë të tjerët. Dua të ndërtojmë një kulturë pune, përgjegjësie dhe ambicieje, si edhe të përcjellim diçka që e njoh shumë mirë: përgjegjësinë dhe nderin e të punuarit për Real Madridin. Ky koncept më pëlqen shumë”, përfundoi “Special One”.
