Pires: Bayerni klubi më i fortë në Europë, më befason Alphonso Davies

Ish mesfushori i Arsenalit dhe Francës, Robert Pires ka folur me superlativa për Bayernin e Mynihut, duke e cilësuar si skuadrën më solide dhe njëkohësisht më të fortë në Europë, teksa i dha një rol mjaft të rëndësishëm edhe menaxhimit që bën shoqëria e klubit bavarez.

“Aktualisht nuk shoh asnjë skuadër më të fortë se Bayerni i Mynihut në Europë. Janë një klub shumë solid dhe kanë në përbërje emra si Neuer, Kimmich e Lewandowski, të cilët janë më të mirët në rolet e tyre. Për më tepër, kanë një menaxhim perfekt nga shoqëria, pasi futbollistët e stafi punojnë gjithmonë në qetësi, ndryshe nga PSG-ja për shembull, ku çdo javë del nga një çështje në media”, deklaroi francezi.

Të lidhura

None found

Duke folur për emra të përveçëm, Robert Pires “ngriti në qiell” kanadezin Alphonso Davies dhe u shpreh se sulmuesi polak Lewandowski do të meritonte padyshim një Top të Artë për atë që ka bërë në fushën e lojës.

“Më befason Alphonso Davies me shpejtësinë e tij. Po vendos gjithmonë rekorde të reja me sprintin e tij në krah dhe për më tepër, është konstant gjatë gjithë lojës. Për Levën flasin golat e tij dhe do ta meritonte padyshim një Top të Artë për atë që ka bërë sidomos në 5 vitet e fundit”, u shpreh 47-vjeçari francez./ss/


Shtuar 27.09.2021 11:31