UEFA ka njoftuar të premten se finalet e Ligës së Kampionëve për katër vitet e ardhshme do të mbahen në St. Petersburg, Stamboll, Londër dhe Munich, me dy nga katër finalet e Ligës së Evropës që do të mbahen në Spanjë.
Finalja e Championsit të këtij viti do të duhej të mbahej në Stamboll, por u zhvendos në Porto për shkak të situatës me koronavirusin. Pas kësaj zhvendosjeje, UEFA ka konfirmuar që Stambolli do të presë finalen e Ligës së Kampionëve në 2023. Finalja e sezonit 2021/22, do të mbahet në Rusi në qytetin e St. Petersburgut, i cili gjithashtu priti disa ndeshje të Kampionatit Evropian. Finalja e vitit 2024 do të jetë në stadiumin “Wembley” në Londër, i cili ishte vendi gjysmëfinaleve dhe finales së “Euro 2020”. Munichu do të jetë qyteti pritës për finalen e Ligës së Kampionëve 2025.
Spanja do të jetë vendi që finalja e Ligës së Evropës, do të mbahet dy herë – në vitin 2022 dhe vitin 2025. UEFA përsëri shpjegoi se Dublini dhe Bilbao do të shpërblehen pas zhvendosjes së ndeshjeve të “Euro 2020”.
Sevilla e pret finalen e Ligës së Evropës në vitin 2022, pastaj Budapesti në vitin 2023, Dublini e ka finalen e vitit 2024 kurse ajo e vitit 2025 do të kthehet sërish në Spanjë, por këtë herë në Bilbao.