Partizani do të zhvillojë këtë të shtunë, duke nisur nga ora 18:00, përballjen e parë miqësore. Të kuqtë do të masin forcat me Besën e Kavajës në stadiumin “Luz i Vogël”.
Të lidhura
None found


Ky takim do t’i shërbejë trajnerit Florin Bratu për të parë nga afër formën e lojtarëve, mes tyre edhe futbollistët e afruar së fundmi në grup. Një prej tyre është Rrok Toma, i cili është kthyer te “Demat” pas një qëndrimi të shkurtër te Vllaznia gjatë kualifikueseve të Conference League, kompeticion nga i cili shkodranët u eliminuan.


Siç raportoi të premten “Newsport.al”, sulmuesi 22-vjeçar bën pjesë në planet e rumunit, të paktën përgjatë kësaj periudhe të rëndësishme përgatitore. Më 20 korrik, kryeqytetasit do të udhëtojnë drejt Pogradecit për vijimin e programit, përpara nisjes së sezonit të ri në “Abissnet Superiore”.



Miqësorja e sotme pritet të tregojë nëse Bratu do ta aktivizojë sulmuesin e Kombëtares shqiptare U-21 në paraqitjen e parë me të kuqtë. Mbetet gjithashtu për t’u kuptuar se çfarë projekti ka 46-vjeçari për talentin e dalë nga akademia e klubit.


