Osimhen mund t’i befasojë të gjithë me vendimin për të ardhmen – sa shkojnë ditët turqit fërkojnë duart

Zëvendëspresidenti i Galatasarayt, Ibrahim Hatipoglu, është i bindur se Victor Osimhen do të qëndrojë në klub edhe përtej kësaj vere. “Mundësitë rriten me çdo ditë që kalon”, deklaroi ai për AS, duke nënvizuar optimizmin e klubit turk për të mbajtur sulmuesin nigerian.

Osimhen e kaloi sezonin e fundit në huazim te Galatasaray nga Napoli dhe ka një klauzolë prej 75 milionë eurosh të përfshirë në kontratën e tij me klubin italian. Megjithatë, kjo klauzolë nuk është e vlefshme për klubet e Serie A.

Galatasaray ka bindjen se do ta mbajë Osimhenin, veçanërisht pasi lojtari refuzoi një ofertë të madhe nga Al-Hilal, i drejtuar nga Simone Inzaghi.

Hatipoglu shpjegoi se marrëveshja për transferimin e tij ishte e papritur: “Kur na ofruan Osimhenin, nuk kishim nevojë për një sulmues, por e nënshkruam brenda dy ditësh”,

Për këtë çështje po punojnë drejtori i transferimeve, Abdullah Kavukcu, dhe agjenti italian George Gardi. “Me çdo ditë që kalon, shanset që Osimhen të qëndrojë te Galatasaray rriten”, shtoi Hatipoglu.

Victor Osimhen pati një sezon të jashtëzakonshëm në Stamboll, duke shënuar 37 gola dhe duke dhuruar 8 asistime në 41 paraqitje për Galatasarayn në të gjitha garat.


Shtuar 11.06.2025 17:44