Osimhen e konfirmon se ka vendosur për të ardhmen e tij – sytë nga dy gjigantët e Premier Ligës

Victor Osimhen ka dhënë sinjale qartë për një ndryshim të mundshëm të klubit në fund të sezonit. Në një deklaratë të fundit, ylli i Napolit ka theksuar se ka marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij, duke iu referuar një “hapi tjetër” që ai synon të ndërmarrë gjatë merkatos së verës.

Nigeriani, i cili ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane falë performancave tejet të mira, inkurajoi thashethemet e transferimit pasi konfirmoi se ka vendosur për të ardhmen e tij. Pavarësisht nënshkrimit të kontratës së re në dhjetor, e cila përmban një klauzolë lirimi me vlerë rreth 130 milionë euro, duket se plani i tij nuk përfshin qëndrimin afatgjatë në Serie A.

Deklarata e Osimhen është kuptuar si një hap i qartë për të gjetur një sfidë të re jashtë Napolit në një intervistë për “CBS Sports”: “Unë kam marrë tashmë vendimin tim për hapin e ardhshëm që do të bëj në fund të sezonit. E kam vendosur tashmë. Unë tashmë e kam planin tim, e di se çfarë dua të bëj, hapin tjetër që dua të bëj”.

Ndërkohë, kur u pyet për mundësinë e një kalimi në Ligën Premier, ai theksoi rëndësinë e ligës, duke shtuar: “Unë mendoj se 60 për qind e njerëzve përmendin thashethemet për mua të lidhura me Ligën Premier. Ajo është një nga ligat më të mëdha në botë”.

Osimhen, megjithëse ka bërë të qartë vendimin e tij për të ardhmen, ka theksuar dëshirën e tij për të përfunduar sezonin aktual me një performancë të fortë për Napolin: “Dua ta përfundoj sezonin me Napolin fuqishëm dhe pastaj të marr vendimin që kam marrë tashmë”.

Arsenali dhe Chelsea janë dy nga klubet e Ligës Premier që janë përmendur si synime për 25-vjeçarin, i cili ka bërë një ndikim të jashtëzakonshëm në skuadrën italiane, kontribuuar ndjeshëm me 67 gola dhe 17 asistime në 119 paraqitje. Suksesi i tij te Napoli është i qartë, duke qenë një figurë kyçe në fitoren e tyre të titullit të Serie A sezonin e kaluar, me 26 gola në vetëm 32 ndeshje lige.