Jo vetëm Casemiro, edhe një tjetër lojtar i Manchester United mund të transferohet tek Al-Nassr

Al-Nassr janë gati të bëjnë një ofertë në drejtim të Manchester United, për të transferuar dyshen Casemiro dhe Aaron Wan-Bissaka.

Daily Mail ka raportuar se ekipi arab janë të interesuar për transferimin e kësaj dyshe, andaj kjo ka bërë që drejtori sportiv i klubit anglez John Murtough, të fluturojë në drejtim të Arabisë Saudite për të parë nëse një marrëveshje mund të arrihet.

Drejtuesit e Al-Nassr thuhet se janë të gatshëm të bëjnë një ofertë të madhe në drejtim të brazilianit, i cili përfiton 375 mijë euro në javë, dhe tani gjithashtu kanë shprehur interesim për të afruar në radhët e tyre edhe Wan-Bissakan, pasi Tottenhami refuzoi ofertën e tyre për Emerson Royal.

United do dëshironte që të merrte para për shitjen e të dy lojtarëve, dhe do të shpresojnë se mund të rikuperojnë 70 milionë eurot që i shpenzuan për Casemiron.

Ronaldo thuhet se e ka inkurajuar klubin që të tentojë marrëveshjen me ish-yllin e Real Madridit, ndërsa Wan-Bissaka në rast se nuk arrin marrëveshje me klubin për zgjatjen e kontratës, me gjasë do të dëshironte që të kalonte në Lindjen e Mesme.

Casemiro nuk ka luajtur për Unitedin që kur pësoi një lëndim muskulor në nëntor të vitit të kaluar dhe ka kontratë me klubin deri në 2026. Në total, ai ka luajtur 63 ndeshje me fanellën e “Djajve të Kuq”, që prej transferimit të tij në vitin 2022.

United me gjasë do të vendos për shitjen e të dyve, por sidoqoftë mbetet të shihet në rast se një marrëveshje e re mund të arrihet në janar. /Telegrafi/