“Nuk më shqetësojnë kritikat, duhet të kishim më shumë pikë”, Pioli: Klubi ka premtuar përforcime, fokusi në Europa League

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli u shpreh i lumtur pas fitores 3-1 ndaj Romës që e blindon Milanin në vendin e 3-të të renditjes. Tekniku italian nuk është aspak i shqetësuar nga kritikat, ndërsa thekson se fokusi tani është në kampionat dhe Europa League.

“Klubi e di se ka nevojë të përforcohet dhe po punon për të mbuluar disa vrima që na kanë shkaktuar disa lëndime. Cardinale hyri në dhomën e zhveshjes për të na stimuluar para ndeshjes. Na tha se klubi do të bëjë gjithçka për të qenë ambicioz, duke respektuar buxhetet me shpenzime dhe ide inteligjente.”

“Nuk jam i shqetësuar nga kritikat. Ne i rritëm vetë pritshmëritë me rrugën tonë në këto vite. Është normale që prisnim të avanconim në Champions League ose të fitonim çdo ndeshje. Kur disa objektiva nuk arrihen, kritikat janë normale, por ajo që ka rëndësi është të punohet seriozisht.

“Duhet të kishim disa pikë më shumë dhe paguajmë për ato katër ndeshje në të cilat morëm vetëm dy pikë, pavarësisht se nuk luajtëm aq keq. Megjithatë, është e kotë të mendojmë se çfarë mund të kishim bërë, më mirë të fokusohemi tek e tashmja dhe e ardhmja mes kampionatit dhe Europa League”. /newsport.al/


Shtuar 15.01.2024 16:58