“Nuk e mendoja të mundur firmën me Messin”

Maurico Poçetinos i ka ardhur si dhuratë nga qielli një nga futbollistët më të mirë të historisë së futbollit botëror. Trajneri i PSG-së pranoi në një intervistë për faqen e UEFA-s, se as nuk e priste që të drejtonte Lionel Mesin te parisienët kur iu shfaq kjo mundësi e jashtëzakonshme.

Lojtari argjentinas pritet të kthehet përsëri në fushë me parisienët në Ligën e Kampioneve në mesjavë dhe për Poçetinon, kjo është një mundësi e mirë që skuadra të nisë rrugëtimin drejt asaj që ëndërron klubi, fitoren e këtij turneu.

“Nuk mendoja se do të ishte e mundur dhe në momentin kur një okazion i tillë shfaqet, çdo gjë shkon me shumë shpejtësi dhe nuk arrin ta kuptosh menjëherë çfarë po ndodh. Megjithatë, mes nesh ka një lidhje, jemi të dy argjentinas, të dy nga Rosario dhe të dy tifozë me Njuells. E kam admiruar për një kohë të gjatë kur jam përballur me të si kundërshtar, ndaj tani ta kem në stërvitje me ne është shumë e këndshme. Shpresojmë që së bashku, të jemi në gjendje që të arrijmë atë që klubi dëshiron”, theksoi tekniku i PSG-së në këtë intervistë para sfidës me Klub Bryzh.

“Unë mund të mos jem personi më i përshtatshëm për ta përshkruar, ka shumë më tepër njerëz të cilët kanë një fjalor më të zgjeruar për të përshkruar Mesin më afër realitetit që ai meriton. Por ai do të cilësohet gjithmonë ndër më të mirët në botë. Që kur ka mbërritur te ne, është përshtatur shumë shpejt dhe po stërvitet mirë, duke u munduar që të arrijë formën më të mirë në mënyrë që të konkurrojë në maksimumin e kapacitetit të tij:”, tha Poçetino.


Shtuar 13.09.2021 21:05