Nuk e ka mbështetjen e Guardiolas, Man City nxjerr në merkato Sterling

Raheem Sterling nxirret në merkato. Sulmuesi 26-vjeçar anglez nuk është më i pazëvendësueshëm për Guardiolën, madje së fundi ka zbritur ndjeshëm në hierarki dhe klubi nga Manchesteri ka vendosur të dëgjojë ofertat në drejtim të tij.

Sterling iu bashkua Manchester City-t verën e 2015-ës dhe që atëherë ka qenë një titullar i padiskutueshëm, por një krisje në marrëdhëniet me trajnerin Guardiola ka bërë që të mos shihet më si titullar.

“Sterling ka shumë eksperiencë dhe gjatë këtyre viteve ne kemi fituar shumë e kemi thyer sa e sa rekorde së bashku, por për momentin Foden dhe Mahrez po bëjnë shumë mirë në fushë dhe për këtë arsye po luajnë ata titullarë. Sterling ka eksperiencën dhe pjekurinë e duhur për ta kuptuar këtë”, pati deklaruar Guardiola në prill.

Këtë sezon Sterling numëron 48 ndeshje me fanellën e “citizens”, por në takimet më të rëndësishme dhe kryesisht në Ligën e kampionëve, ka ardhur thuajse gjithmonë nga pankina, si një dëshmi që Guardiola nuk ka më të njëjtin besim ndaj sulmuesit anglez.

Deri tani asnjë klub nuk ka trokitur në dyert e “citizens” për të shfaqur interesin për Sterling, megjithatë klubi anglez është gati të heqë dorë prej tij, nëse i vjen një ofertë prej 50-60 milionë eurosh.


Shtuar 29.05.2021 12:00