Trajneri Roberto Mancini ka meritën e ndërtimit nga hiçi një kombëtare, e cila 3 vite më parë nuk arriti të shkojë në botërorin e Rusisë. Një punë e madhe e trajnerit dhe stafit të tij, që kanë besuar te ky grup lojtarësh.
Në krah të Mancinit janë një grup njerëzish të besuar, të cilët ai i ka patur pranë edhe më parë në karrierën e tij si futbollist e më pas si trajner. Shumë prej tyre, madje 80% e stafit, janë ish-shokë të tij të skuadrës te Sampdoria.
Gianluca Vialli – Shefi i delegacionit. Mbetet padyshim këshilltari më i vyer i Mancinit, krahu i tij i djathtë, një guidë për trajnerin dhe skuadrën. “Binjakët e golit”, siç njihen që nga koha e Sampdoria, kanë treguar se janë më shumë se miq, vëllezër. Përqafimi i tyre dhe lotët pas trofeut përkufizojnë lidhjen e fortë.
Gabriele Oriali – Team manager. Flitet pak për të, por ai është gjithynjë pranë trajnerëve, duke qenë “ëngjëlli mbrojtës”, që menaxhon momentet e nervozizmit me gjyqtarët.
Daniele De Rossi – Asistent. I kërkuar me ngulm nga Mancini, kampion bote në vitin 2006 me kombëtaren, që nis krejt papritur aventurën e tij në stol me një triumf në Europian.
Alberico Evani – Asistent. Ka fituar gjithçka me Milanin e më pas kaloi te Sampdoria, ku luajti me Mancini. Nga viti 2018 në krah të Mancinit në kombëtare, një asistent i rëndësishëm më këshillat, njeriu që udhëzonte lojtarët para se të hynin në fushë.
Attilio Lombardo – Asistent. I njëjti rol si De Rossi, mik i ngushtë i Mancini që nga koha e Sampit. Bashkë kanë qenë te Manchester City e Galatasaray dhe tani ribashkohen në kombëtare.
Giulio Nuciari – Asistent, përgatitësi i portierëve. Një nga më të besuarit e Mancini, pasi bashkë kanë punuar tek Interi (2004-2008) dhe Lazio (2014-2016). Ish-portier te Sampdoria me Mancinin, që e njeh mirë dhe e afroi te kombëtarja.
Fauso Salsano – Asistent. Ish-lojtar i Sampdoria, praktikisht është njeriu që e ka ndjekur Mancini kudo që ka drejtuar: Inter, Manchester City, Galatasaray, sërish Inter, Zenit dhe tani në kombëtare. Njeriu në hije, por që bën gjithçka.