Zyrtarët e ndeshjeve në të gjitha ligat angleze janë udhëzuar që të lejojnë lojtarët të prishin agjërimin gjatë ndeshjeve të mbrëmjes gjatë Ramazanit, ka zbuluar “Sky Sport News”.
Shumë nga futbollistët më të mirë, duke përfshirë Mohamed Salah të Liverpool-it, Riyad Mahrez të Manchester City-t dhe Ngolo Kante të Chelsea-t, pritet të agjërojnë këtë muaj gjatë kësaj periudhe të rëndësishme për myslimanët.
Siç dihet, iftari prishet pasi ka perënduar dielli dhe kjo do të prekë shumë lojtarë që do të marrin pjesë në ndeshjet e mbrëmjes gjatë muajit të ardhshëm.
Zyrtarët e ndeshjes tani janë udhëzuar nga organet e arbitrazhit që të lejojnë një pushim të natyrshëm në lojë, në mënyrë që lojtarët të mund të prishin agjërimin e tyre duke marrë lëngje ose xhel energjie ose suplemente ushqimore.
Ata gjithashtu inkurajohen përpara fillimit të ndeshjes që të përpiqen të identifikojnë lojtarët që mund të kenë nevojë të prishin agjërimin gjatë ndeshjes dhe kur të jetë e mundur, të bien dakord për ta bërë këtë.
Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit islamik, të cilin myslimanët në mbarë botën e festojnë si muaj agjërimi, lutjeje, reflektimi dhe bashkësie. Nis nesër në mbrëmje dhe zgjat deri më 21 prill.
Kujtojmë se dy vite më parë ndeshja mes Leicesterit dhe Crystal Palace u ndërpre në mesin e ndeshjes në mënyrë që lojtarët të prishnin agjërimin dhe ishte rasti i parë i tillë në Premier League.
Me atë rast, të dy klubet ranë dakord para ndeshjes me gjyqtarin Graham Scott se do të kishte një pushim në lojë në mënyrë që Ëesley Fofana dhe Cheikhou Kouyate të mund të prishnin agjërimin.
Fofana më vonë shkoi në rrjetet sociale pas ndeshjes për të falënderuar ata që e lejuan atë të prishë agjërimin, duke thënë: “Kjo është ajo që e bën futbollin të bukur”.