Neymar është rikthyer të flasë për kohën kur u transferua te Barcelona në vitin 2013. Sulmuesi brazilian, zbuloi në podkastin “Podpah”, se Real Madrid i kishte ofruar trefishin e Barcelonës, por ai zgjodhi katalanasit.
Neymar u shpreh se dëshira e tij ishte të luante në të njëjtin ekip me Messin.
“Real Madrid më ofroi të zgjidhja vetë rrogën që doja. Megjithatë në zemrën time ishte vetëm Barcelona. Do kisha përfituar tre herë më shumë në Madrid. Florentino Perez më ka kërkuar gjithmonë. Ronaldinho kishte qenë të Barcelona dhe unë doja të luaja me Messin”, tha Neymar.
Braziliani zbuloi edhe një detaj të veçantë nga koha e tij te Barcelona, duke thënë se ishte ai që i mësoi Messit si gjuhet penalltia.
“Unë e ndihmova Messin te penalltitë. Ishim në stërvitje dhe më tha si i bëja penalltitë. I thashë: ‘A je i çmendur?! Ti je Messi, nëse unë e bëj, padyshim që ia del edhe ti.’ Ia tregova atij dhe e mësoi”, deklaroi Neymar.
Në merkaton e dimrit, Neymar u rikthye ne Brazil, te skuadra e Santos, aty ku pati edhe shpërthimin e tij.