Ndeshja me Francën, Santos: Duhet të mbrohemi dhe sulmojmë mirë

Trajneri portugez, Fernando Santos ka folur para ndeshjes me Francën.

Franca ka katër pikë dhe në rast të humbjes do të humbiste kreun nga Gjermania, ndërkohë Portugalia në rast të humbjes do të mbetej me tri pikë dhe do të rrezikonte të mos kualifikohej fare tutje.

Një barazim eventual do të mund të ishte në favor të të dyja Kombëtareve, pasi me një barazim, Portugalia do të shpresonte të kualifikohej tutje nga vendi i tretë.

Para ndeshjes, Fernando Santos theksoi se Portugalia bëri gabime ndaj Gjermanisë, ai theksoi se e ka analizuar ndeshjen e Francës dhe ata janë skuadër shumë e fortë.

“Ne luajtëm të shtunën, ishte çmendurisht nxehtë. Këtu bën vapë, është 35 gradë celcius dhe lojtarëve iu duhet të rikuperohen”, tha ai.

“Kemi analizuar ndeshjen me Gjermaninë dhe kemi rënë në konkluzion që nuk kemi luajtur futbollin portugez siç dimë ta bëjmë”, shtoi ai.

“Diçka shkoi gabim, sepse pranuam tri gola në vetëm 58 minuta. Duhet të mbroheni dhe të sulmoni mirë”, tha Santos.

“Franca ka skuadër të fortë që mbrohet mirë, ndaj Gjermanisë ne pamë Griezmann që luajti si mbrojtës i djathtë, dhe e bëri shumë mirë duke u nisur në kundërsulme”, përfundoi Fernando Santos.

Shtuar 23.06.2021 12:28