Ndalohet shitja e fanellave të Gjermanisë, shkaku i historisë së errët

Tifozët e Kombëtares Gjermane që dëshirojnë të blejnë fanellën e skuadrës me numrin 4 ose 44 aktualisht përballen me një pengesë.

Federata Gjermane e Futbollit në bashkëpunim me kompaninë Adidas ka vendosur të ndalojë shitjen e fanellave me këto numra, si pasojë e ngjashmërisë së tyre me simbole të lidhura me nazizmin. Kjo lidhje ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore dhe veprimet e trupave të udhëhequra nga Adolf Hitler.

Në rrjetet sociale ka pasur një reagim të madh pasi u vu re se mbrojtësi Jonathan Tah ishte parë duke veshur fanellën me numrin 4.

Edhe pse fillimisht nuk kishte pasur ndonjë reagim të menjëhershëm, ankesat e mëparshme nga publiku çuan në një reagim nga Adidas dhe Federata Gjermane e Futbollit, të cilat vendosën të pezullojnë shitjen e tyre.

Kritikat më të ashpra u drejtuan kah Adidas, e cila më vonë u përgjigj duke njoftuar se do të bëhet një ridizajnim i fanellave.

Federata Gjermane e Futbollit gjithashtu theksoi se UEFA nuk kishte identifikuar asnjë element problematik ose të lidhur me simbole të dëmshme në fanellat e skuadrës.

Megjithatë, kjo deklaratë nuk i ka ndalur hapat për t’i kthyer fanellat në fazën e prodhimit për të aplikuar ndryshimet e nevojshme.

Tashmë, të gjitha fanellat me numrat në fjalë do të dërgohen mbrapsht në fabrikë për të pësuar procesin e ridizajnim.

Ky ndalesë mund të ketë zhgënjyer shumë prej tifozëve të futbollit gjerman, të cilët kanë pritur me padurim të veshin fanellat me numrat e tyre të preferuar, por në të njëjtën kohë, ky veprim u konsiderua i duhuri për të respektuar ndjeshmërinë historike dhe për të shmangur çdo lidhje me të shkuarën e errët. /Telegrafi/


Shtuar 2.04.2024 17:51