KF Elbasani ka zyrtarizuar një transferim të bujshëm gjatë këtij afati kalimtar, duke afruar në skuadër mbrojtësin e djathtë senegalez Moussa Wague.
Të lidhura
None found
Wague iu bashkua Barcelonës në vitin 2018, pasi kishte spikatur me paraqitjet e tij për kombëtaren e Senegalit. Gjatë periudhës te klubi katalanas, ai ndau dhomën e zhveshjes me emra të mëdhenj të futbollit, mes të cilëve edhe Lionel Messi, ndërsa luajti me fanellën e Barcelonës edhe në Ligën e Kampionëve.
Në prezantimin e afrimit më të ri, klubi elbasanas vuri në dukje përvojën e gjerë ndërkombëtare të mbrojtësit. Eksperienca e tij e fundit ishte në Superligën greke me Panserraikosin, ndërsa më herët kishte debutuar me Barcelonën në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve, përpara se të kalonte në Ligue 1 te OGC Nice.
Karriera e senegalezit përfshin gjithashtu përvoja në elitën e futbollit grek me PAOK, në Kroaci me HNK Gorica dhe në Qipro me Anorthosis Famagusta.
Sipas njoftimit të KF Elbasanit, Moussa Wague ka regjistruar 21 paraqitje me përfaqësuesen e Senegalit dhe ka shënuar edhe në Kupën e Botës 2018. Tashmë, pas aventurave në disa kampionate evropiane, ai do ta vazhdojë karrierën si pjesë e skuadrës shqiptare.
