Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “Marca”, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka vendosur të ndërhyjë vetë për të menaxhuar situatën e krijuar rreth mesfushorit Federico Valverde.
Të lidhura
None found
Edhe pse pas një sezoni të vështirë dhe të shoqëruar me polemika, portugezi e sheh Valverden si një nga figurat bazë të projektit të tij të ri dhe synon ta mbajë atë në rolin e kapitenit të ekipit të parë.
Për uruguaianin, sezoni i fundit rezultoi tejet i komplikuar. Ai u përfshi në përplasje me ish-trajnerin Xabi Alonso, pasi u aktivizua jashtë rolit të tij natyral, ndërsa situata u përkeqësua më tej në dhomat e zhveshjes pas një incidenti fizik me bashkëlojtarin Aurelien Tchouameni.
Vështirësitë nuk u ndalën me kaq, pasi edhe gjatë Kupës së Botës, sipas raportimeve, Valverde pati mospajtime me trajnerin e Uruguait, Marcelo Bielsa, për shkak të metodave intensive të stërvitjes.
Më pas, kombëtarja uruguaiane u eliminua në mënyrë befasuese që në fazën e grupeve.
Në këtë moment, Valverde ndodhet me pushime dhe synon të gjejë qetësi, të mbyllë pas krahëve periudhën e vështirë dhe të rikthehet me një qasje të re mendore.
Nga ana tjetër, Mourinho ka caktuar një bisedë kokë më kokë me mesfushorin në fund të muajit korrik, me qëllim që të zbusë tensionet, të largojë paqartësitë mbi një largim të mundshëm dhe ta ndihmojë lojtarin të rikthehet në formën e tij më të mirë.
Trajneri portugez mbetet i bindur se Valverde është pjesë thelbësore e së ardhmes së Real Madridit dhe dëshiron ta ketë sërish si lider, si në fushë, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes.
