E ardhmja e Endrickut te Real Madridi po rishikohet me kujdes dhe nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi brazilian të rikthehet në një huazim të ri përpara se të mbyllet afati kalimtar i verës.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të Marca, te drejtuesit e klubit madrilen mbizotëron shqetësimi se 20-vjeçari rrezikon të mos ketë minutat e duhura në sezonin e ardhshëm, veçanërisht nëse përfundon transferimi i parashikuar i Yan Diomandes drejt “Santiago Bernabéu”.
Trajneri Jose Mourinho e kishte nisur projektin me idenë e mbajtjes së Endrickut në ekip, por tani klubi po analizon seriozisht nëse një huazim tjetër do të ishte rruga më e favorshme për rritjen e tij profesionale.
Gjatë huazimit të tij te Lyon në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, Endrick la shenja të qarta pozitive, çka i përforcoi Real Madridit besimin se bëhet fjalë për një investim me perspektivë të gjatë për të ardhmen.
Megjithatë, duke pasur parasysh se konkurrenca në repartin e sulmit pritet të ashpërsohet, drejtuesit e “Los Blancos” nuk synojnë të rrezikojnë që zhvillimi i lojtarit të frenohet nga pak minutat në fushë.
Një vendim përfundimtar ende nuk është marrë, por klubi po shqyrton me kujdes opsionin e një largimi të përkohshëm, me qëllim që braziliani të sigurojë më shumë eksperiencë dhe mundësi për të luajtur rregullisht.
