Skuadra e Milanit do të përqendrojë vëmendjen për të çimentuar vendin e parë në Itali këtë fundjavë, pasi u ekspozua hendeku midis liderit të Serie A dhe më të mirëve të Evropës.
Milani është ringjallur gjatë dy vjetëve të fundit nën drejtimin e trajnerit Stefano Pioli, por u eliminua nga Liga e Kampionëve pas humbjes që e pësoi në shtëpi nga Liverpooli (2:1) në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. Milani nuk fitoi asnjë ndeshje të vetme në Champions në stadiumin “San Siro”. Katër pikë dhe vendi i fundit në Grupin B ishte një rikthim i dhimbshëm për një klub që është kurorëzuar shtatë herë mbret i Evropës, por nuk kishte qenë në Ligën e Kampionëve që nga edicioni 2013/14.
“Ndeshjet që i patëm në Champions do të na ndihmojnë në zhvillimin tonë. Është turp që u eliminuam në fazën e grupeve, sepse donim shumë të qëndronim në garë. U përpoqëm të bëjmë më të mirën, por fatkeqësisht nuk ia dolëm. Aventura jonë evropiane ishte e shkurtër”, është shprehur trajneri i Milanit, Pioli. “Tani duhet të kthejmë vëmendjen në kampionat dhe të fokusohemi deri në fund për ta mbajtur pozitën aktuale që e kemi, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë”.
Pioli tani nuk ka futboll evropian që ta largojë atë nga përpjekja e Milanit për të fituar titullin e parë të ligës në më shumë se një dekadë. Titulli shihet si fazë e parë në largimin e kuqezinjve nga gremina. Pas 16 xhirove në Serie A, Milani prin me 38 pikë, një më shumë se Interi që është i dyti në tabelë dhe tri më shumë se Napoli që renditet i treti.
Krahas trajnerit Pioli edhe sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq ka thënë se Milani tash e tutje do të fokusohet në kampionat. Ibra ka pranuar se të gjithë në klub janë “të zhgënjyer për shkak të eliminimit” nga Championsi, por ka thënë se do ta japin maksimumin për ta fituar titullin e kampionit të Italisë. Paraqitjet e Milanit në kampionat nuk korresponduan me ato në Champions, garë në të cilën u kthye pas një pritjeje prej shtatë vjetësh.
“Natyrisht jemi shumë të dëshpëruar me eliminimin dhe na vjen shumë keq edhe prej tifozëve tanë. Por këtë eliminim do ta kompensojmë me triumf në Serie A. Do të luftojmë për ta fituar titullin pasi kemi ekip të mirë dhe nuk do të dorëzohemi pa e arritur këtë synim”, ka paralajmëruar Ibrahimoviqi. “Edhe në dështim ka sukses, ne do të rritemi edhe më shumë dhe do të kemi përvojë më të madhe. Ndoshta do ta kemi më lehtë në kampionat për shkak se nuk kemi angazhime në Evropë”.
Ndeshjen e radhës në kampionat Milani e luan të shtunën në udhëtim kundër Udineses, ekip që e shkarkoi ditë më parë trajnerin për shkak të rezultateve të dobëta. Pavarësisht se Udinese ka vetëm tri fitore këtë edicion, Pioli ka paralajmëruar futbollistët që të jenë të kujdesshëm në këtë takim. Madje ai ka thënë se shpreson që në paraqitjen e Milanit të mos ndikojë zhgënjimi i madh nga eliminimi prej Championsit. Udinese ka 16 pikë dhe zë vendin e 14-të në tabelë.
“Duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj Udineses, pasi ka shtatë barazime. Ne duam të fitojmë dhe ta mbajmë ritmin e fitoreve në kampionat, i cili është shumë i rëndësishëm nëse synojmë titullin. Shpresoj po ashtu që te lojtarët të mos ndikojë eliminimi nga Championsi. Vazhdimisht kam folur me ta dhe si klub kemi punuar për ta tejkaluar atë moment të vështirë duke kërkuar që tërë fokusin ta kthejmë në Serie A”, është shprehur Pioli.