Messi tregon arsyen pse nuk luajti në miqësore ndaj Hong Kongut, e cila çoi në përplasje me qeverinë kineze

Ylli i Inter Miamit, Lionel Messi, ka ndarë detaje mbi mosprezencën e tij në miqësoren ndaj Hong Kongut gjatë parasezonit.

Vetëm tri ditë para se të nis sezoni në MLS, dhe dy javë pas miqësores së Inter Miamit ndaj Hong Kongut, argjentinasi është përpjekur që të pastrojë emrin e tij, duke ndarë detaje rreth lëndimit që ka pësuar, si dhe duke dënuar narrativat e rreme për vendimin e Inter Miamit që ai të mos luajë në këtë takim.

“Unë kam lexuar dhe kam dëgjuar shumë gjëra për atë që ndodhi pas ndeshjes në Hong Kong, kjo është pse unë doja të bëja këtë video për të shpjeguar të vërtetën dhe për të dënuar raportimet e rreme. Siç e dini të gjithë, unë dua gjithmonë të luaj, unë dua të luaj në çdo ndeshje”.

“Kam dëgjuar se nuk doja të luaja për shkak të politikës dhe gjërave të tjera që kanë të bëjnë me këtë. Nëse do të ishte kjo arsyeja unë nuk do të udhëtoja në Japoni apo në Kinë siç kam bërë disa herë gjatë karrierës sime”, ka thënë Messi.

“U mundova që të marr pjesë në seancën stërvitore për hir të të gjithë atyre personave. Unë bëra aq sa munda por sinqerisht nuk mund të luaja sepse po ndjeja shqetësime”.

“Pasi kaluan disa ditë unë fillova të ndihem më mirë dhe për këtë arsye kam luajtur disa minuta në miqësoren në Japoni në mënyrë që të përmirësohem fizikisht dhe të fitoj ritmin përsëri”, është shprehur argjentinasi.

“Unë tashmë e kam thënë këtë por, e ndjeja se ishte e rëndësishme që ta përsërisja pas gjithçkaje që është thënë. Unë dua të dërgoj dashurinë time tek njerëzit në Kinë, një ndjenjë që gjithmonë e kam pasur me ta. Shpresoj që të shihemi së bashku përsëri”, përfundoi Messi. /Telegrafi/


Shtuar 19.02.2024 20:36