Messi nuk do të luajë në Botërorin e ardhshëm

Kapiteni i Argjentinës kampione bote në fuqi ka deklaruar se edicioni i Katarit dhjetorin e kaluar ishte i fundit në karrierën e tij.

Karriera e gjatë dhe e suksesshme e Lionel Messit me kombëtaren argjentinase, e plotësuar kohët e fundit me trofetë që mungonin, Kupa e Amerikës dhe Botërori, nga sot ka një datë skadence zyrtare.

Ylli i futbollit botëror ka folur për median kineze ‘Titan Sports’, ku ka zbuluar se nuk ka në plan të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, që zhvillohet në Kanada, SHBA dhe Meksikë.

“Botërori i Katarit ishte i fundit për mua”, – është shprehur Messi.

“Pas fitimit të Kupës së Botës, që ishte ajo që më mungonte, jam i kënaqur dhe mirënjohës për karrierën që kam pasur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, shtoi Messi.

Lamtumira nga kompeticioni global me një finale të fituar do të ishte një epilog përrallor.

Megjithatë, numri 10 lë një spirale të vogël shprese, kur thotë: “të shohim si do të shkojnë gjërat…”

Messi ndodhet në Kinë me ekipin argjentinas, ku do të luajë dy miqësoret e fundit para kualifikueseve të Botërorit, kundër Australisë në Pekin, të enjten e ardhshme, dhe kundër Indonezisë në Xhakartë më 19 qershor.


Shtuar 13.06.2023 19:33