Më i miri në fushë, Mitaj: Dua t’i shpërblej besimin kombëtares

Një nga lojtarët më të mirë kohëve të fundit me Kombëtaren është Mario Mitaj. Mitaj, dha një intervistë për mediat, pas fitores 2-0 të Shqipërisë me Bullgarinë (miqësore).

Kush është sekreti që erdhët dhe u shfaqët menjëherë titullar i padiskutueshëm?

Unë duhet të falënderoj shumë trajnerin Sylvinho, që më ka dhënë besim shumë të madh dhe dua ta kem faqen e bardhë para tij, për t’ia shpërblyer në maksimum. Dua t’ia shpërblej kombëtares gjithë besimin te unë ndër vite, edhe te skuadra e moshave.

Pak para golit të Laçit, trajneri ju këshilloi dhe juve gjetët një pasim mjaft të bukur…

Ai gjatë gjithë lojës mundohet të më këshillojë dhe ma bën lojën edhe më të lehtë, ndaj e falënderoj shumë.

U patë të hynit shpesh në qendër për të pasuar. Ishte iniciativë e juaja?

Ishte edhe iniciativë e imja, pasi më pëlqen shumë të afrohem dhe të shërbej për sulmuesit.

Si shpjegohet që luani kaq pak te Lokomotiva e Moskës?

Nuk e di. Duhet pyetur trajneri atje.

A është ky momenti për të ndërruar kampionat?

Ndoshta mund të jetë momenti i duhur.


Shtuar 17.10.2023 21:02