Fanella e Nedim Bajramit, shitet në ankand për 5792 euro. Është ky rezultati përfundimtar i ankandit të hapur pas ndeshjes së parë me Italinë, ku u nxorën në shitje të gjitha fanellat e kuqezinjve për atë ndeshje.
Fanella e dytë më e shitur ishte ajo e Armando Brojës, që kapi vlerën 825 euro.
Nedim Bajrami, hyri në historinë e Kampionatit Evropian me golin e shënuar ndaj Italisë, në ndeshjen debutuese të Shqipërisë në eventin e futbollit që po zhvillohet në Gjermani.
Bajramit i mjaftuan 23 sekonda lojë, për të dërguar topin në rrjetë: askush në historinë e Evropianit nuk kishte shënuar një gol më të shpejtë.
25-vjeçari kuqezi, i lindur në Zyrih, është pa dyshim “ylli” i momentit i Kombëtares Shqiptare.