“Mbushni tribunat”, tifozët e Man City i kërkojnë Guardiolas të merret me stërvitje

Tifozët e Manchester Cityt i kanë thënë trajnerit Pep Guardiola që t’u “përmbahet stërvitjeve” pasi u “zhgënjyen” nga lutja e tij për të pasur më shumë mbështetës në tribuna gjashtë ndeshjeve që ekipi i luan në shtëpi. Guardiola tha se ekipi i tij do të “kishte nevojë” për një prani më të madhe të tifozëve në “Etihad Stadium” kundër Southamptonit këtë fundjavë, pasi pa pak më shumë se 38.000 nga 55.000 ulëset e lira në stadium për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të cilën skuadra angleze e fitoi kundër Leipzigut 3:0 të mërkurën mbrëma. Por, sekretari i përgjithshëm i klubit të tifozëve zyrtarë të Cityt, Kevin Parker dëshiron që Guardiola të jetë më i vëmendshëm ndaj rrethanave, duke këmbëngulur se trajneri spanjoll “nuk i kupton vështirësitë” me të cilat përballen përkrahësit.

“U befasova shumë me ato që i tha Guardiola. Unë nuk jam i sigurt se çfarë ka të bëjë me të mungesa e tifozëve në tribuna. Ai nuk i kupton vështirësitë që disa njerëz kanë mundur t’i kenë për të qenë në stadium për ndeshjen ndaj Leipzigut të mërkurën mbrëma. Ata kanë fëmijë për t’u kujdesur dhe mund të mos jenë në gjendje ta përballojnë blerjen e biletës, sidomos në këtë kohë kur të gjithë po kanë vështirësi edhe me koronavirusin. Unë nuk e kuptoj se pse Guardiola merret me këtë çështje”, ka insistuar Parker. “Ai është absolutisht trajneri më i mirë në botë, por mendoj se ndoshta duhet të merret vetëm me punën që e ka, ta stërvitë ekipin. Pas komenteve të tij, njerëzit më shumë po flasin për Pepin sesa lojën fantastike që e shfaqi ekipi ndaj Leipzigut. Të dyshosh në mbështetjen e tifozëve, është shumë zhgënjyese dhe e pakthyeshme”.

Madje, Parker insiston se Guardiola nuk e ka as arsyen më të vogël që të ankohet për tribunat e zbrazëta në ndeshjet e Cityt si vendas. Ai insiston se prania e tifozëve të Cityt në “Etihad Stadium” këtë edicion është në përgjithësi shumë e mirë. Sipas Parkerit, Guardiola me komentet e tij, u ka dhënë mundësi edhe tifozëve kundërshtarë që të tallen me praninë e adhuruesve të Cityt në ndeshje.

“Kjo, gjithashtu, shkon në favor të tifozëve të ekipeve tjera, të cilët duan ta shfrytëzojnë çdo mundësi për të ardhur në stadiumin tonë dhe të tallen për praninë e vogël në tribuna. Madje, ata tashmë kanë filluar t’i referohen stadiumit tonë si ‘Emptyhad’. Megjithatë, kërkesa e Guardiolas nuk është korrekte sepse pjesëmarrjet tona në ndeshjet e Cityt në përgjithësi janë të shkëlqyera”, shtoi Parker.

Pas fitores së thellë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, Guardiola bëri një thirrje për të gjithë tifozët e Cityt.

“Unë do të doja që më shumë njerëz të vijnë në ndeshjen tjetër të shtunën. Ne do të kemi nevojë për njerëzit të shtunën sepse do të jemi të lodhur. Ftoj të gjithë tifozët tanë të vijnë të shtunën pasdite dhe ta shikojnë lojën kundër Southamptonit”, tha Guardiola.

Komentet e tij ngatërruan më tej Parkerin, sepse pjesëmarrja e tifozëve të Cityt në ndeshjet në shtëpi kundër Norwichit (51.437) dhe Arsenalit (52.276) kanë qenë afër mbushjes së kapacitetit të “Etihad Stadium”.

“Sigurisht që ai do të donte një stadium të stërmbushur, por nuk e di pse do të vinte në mëdyshje pjesëmarrjen tonë kundër Southamptonit. Është një skenar krejtësisht tjetër që nuk po mund ta kuptoj”, insistoi Parker. “Ne kemi luajtur dy ndeshje të shtunën në shtëpi dhe stadiumi nga perspektiva e Cityt të paktën nuk ishte tërësisht i mbudhur. Por, në fakt për mendimin tim, në dy ndeshjet tribunat pothuajse ishin të mbushura me tifozë. Unë mendoj se askush kudo brenda klubit nuk duhet të vërë në dyshim besnikërinë e tifozëve. Është shumë frustruese”.

Pas katër xhirove të luajtura këtë sezon në Premier League, City ka tubuar dhjetë pikë, sikurse Chelsea, Liverpooli e Evertoni. Duelin ndaj Southamptonit, skuadra e Cityt e luan të shtunën prej orës 16:00 në kuadër të xhiros së pestë të kampionatit. Guardiola në konferencën për shtyp para këtij dueli ka insistuar se nuk do të kërkoj falje për komentet e tij, pasi gjithmonë ka kërkuar përkrahjen prej tifozëve që preferon t’i shoh të tribuna për ta motivuar skuadrën.


Shtuar 17.09.2021 16:13