Gjyqtari Aleksei Matjunin duket se ka vendosur që të bëhet një emër i njohur në arnën ndërkombëtare.
Rusi, pak ditë pasi masakroi Vllazninë ndaj Shiroki Brijeg në turin e parë të Ligës së Konferencës ka tejkaluar vetveten në turin e dytë të këtij turneu.
Nëse ndaj shkodranëve ai nxori dy herë kartonin e kuq, për Krymin dhe Brdariç për protesta, sot ai i ka shtuar koleksionit të tij Europian edhe 3 të kuq të tjerë në arenën ndërkombëtare, në vetëm 10 minuta lojë.
Në ndeshjen mes suedezëve të Elfsborg dhe moldavëve të Milsami, Matjunin u bë protagonist në pjesën e dytë të ndeshjes. Në minutën e 65 ai nxori me karton të kuq Amogui të skuadrës moldave, mes protestave të lojtarëve të kësaj skuadre.
Vetëm 8 minuta më vonë, ai tregoi edhe një herë të kuqin, këtë radhë duke larguar Duijinari po të Milsami. Dhe pa u mbushur 10 minuta nga kartoni i parë i kuq, ai e nxori nga xhepi për herë të tretë, për Bolohan, po për skuadrën e Milsamit.
Kështu, kjo e fundit e mbylli ndeshjen me 8 lojtarë në fushën e lojës dhe duhet ta cilësojë veten me fat që u mund vetëm me shifrat 3-0 nga skuadra suedeze, e cila shpërdori shumë raste në minutat e fundit të sfidës.