Çmimi i naftës ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit pranë Ngushticës së Hormuzit ka shtuar frikën për furnizimet globale me energji.
Të lidhura
None found
Irani deklaroi se ka sulmuar 10 anije në këtë zonë, pas operacionit amerikan që, sipas Uashingtonit, çoi në fundosjen e pesë cisternave iraniane.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi të mërkurën se në mesin e mjeteve të goditura ndodheshin dy anije amerikane dhe tetë cisterna nafte. Autoritetet iraniane thanë se një marinar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër konsiderohet i zhdukur.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara i ka hedhur poshtë pretendimet e Iranit, duke deklaruar se asnjë nga sulmet e përpjekura ndaj anijeve amerikane nuk ka pasur sukses.
Përplasja e fundit pason deklaratën e ushtrisë amerikane se gjatë natës kishte shkatërruar pesë cisterna iraniane. Sipas Uashingtonit, ky veprim ishte një kundërpërgjigje ndaj dy tentativave të Iranit për të goditur një anije luftarake amerikane në dy ditët para operacionit.
Hormuzi është një prej rrugëve kryesore të transportit të energjisë në botë. Përpara nisjes së konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, nëpër Ngushticë kalonte deri në 20% e naftës dhe gazit botëror. Një bllokim i gjatë i trafikut mund të çojë në shtrenjtim të mëtejshëm të energjisë dhe të ushtrojë ndikim mbi inflacionin global.
Tregjet ndërkombëtare kanë reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve, ndërsa nafta ka kaluar për herë të parë që nga korriku pragun e 100 dollarëve për fuçi.
Në Shtetet e Bashkuara, bursat kanë shënuar reagim negativ. Rritja e kostove të karburanteve dhe ushqimeve mund të shtojë presionin ndaj administratës Trump përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Teherani ka bërë të ditur se do t’u përgjigjet me forcë sulmeve amerikane. IRGC-ja paralajmëroi se për çdo dy ose tre cisterna iraniane të goditura, Irani do të kundërpërgjigjet duke sulmuar deri në 20 anije.
Autoritetet iraniane kanë njoftuar gjithashtu se mund të shpallin një territor shumë më të gjerë pranë Hormuzit si zonë të ndaluar për lundrim. Sipas tyre, zona do të shtrihej deri në Gjirin pranë Çabaharit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë sulmet ndaj cisternave iraniane nëse Teherani ndërmerr sulme kundër anijeve luftarake amerikane.
