Marotta: Zëvendësimi i Hakimit i vështirë, kemi konfirmuar 90% të grupit

Në ceremoninë e hedhjes së shortit për sezonin e ri, ka folur për mediat edhe administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta, i cili deklaroi se zikaltrit do të provojnë të mbrojnë titullin kampion dhe shmangu komentet për Antonio Conten.

“Conte është e shkuara tashmë dhe nuk dua të flas për të. Kemi emëruar Inzaghin, të bindur që do të bëjë shumë mirë dhe tani presim fillimin e një sezoni të ri. Është konfirmuar 90% e organikës së skuadrës që fitoi titullin, ndaj besoj se do të jemi konkurrues edhe këtë sezon”, u shpreh Marotta.

Achraf Hakimi është largimi i vetëm me peshë deri tani për zikaltrit, teksa Marotta pranon se zëvendësimi i tij nuk është aspak i lehtë dhe shmang komentet për emra të veçantë si Dumfries, Bellerin apo Nandez.

“Zëvendësimi i Hakimit nuk do të jetë i lehtë, pasi duhet shumë kreativitet. Dumfries apo Bellerin? Ka emra të shumtë, por të shohim si do rrjedhin ngjarjet. Nandez? Është një mesfushor shumë interesant, por në atë repart jemi të kompletuar”, tha Marotta.

Administratori zikaltër foli edhe për gjendjen shëndetësore të Christian Eriksen, teksa nuk la pa komentuar as afrimin e Hakan Calhanoglu te Interi, me turkun që iu rrëmbye Milanit me parametra zero.

“Jemi të lumtur që gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet. Sa i përket rikthimit në fushë, duhen bërë shumë analiza dhe mbi të gjitha duhet kohë, për të parë ecurinë e rikuperimit. Gjithsesi kemi marrë Calhanoglu dhe nuk e sforcojmë rikthimin e Eriksen. Shëndeti i tij është mbi gjithçka”, u shpreh drejtuesi zikaltër.


Shtuar 14.07.2021 22:47

Tags: ,