Marotta: I lumtur që kthehem si fitues, shpresoj të vazhdojmë me Conten

Dy vite e gjysmë më parë Giuseppe Marotta u largua nga Juventusi si i panevojshëm, ndërsa sot rikthehet në “Allianz Stadium” si triumfator, pasi Inter ia doli të ndërpresë serinë prej 9 kampionatesh të fituar radhazi nga torinezët.

Në prag të derbit të Italisë mes Juventusit dhe Interit, drejtuesi zikaltër deklaroi se është shumë i lumtur që rikthehet si fitues në Torino, megjithatë pranoi se milanezët do të respektojnë kampionatin deri në fund, edhe pse i kanë mbyllur llogaritë e titullit.

“Jemi në Torino si kampionët e Italisë, diçka e jashtëzakonshme për kohën e shpejtë që ka ndodhur. Tani po shijojmë suksesin, por do të respektojmë deri në fund garën, pasi sapo kemi nisur një cikël dhe duam të vazhdojmë sa më gjatë”, deklaroi Marotta.

Javën e ardhshme pritet një ballafaqim mes presidentit Steven Zhang dhe trajnerit Antonio Conte, pasi ky i fundit kërkon garanci sportive për të vijuar punën në pankinën zikaltër, ndërsa Marotta shprehet optimist se palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Conte është një trajner fitues dhe është normale që të ketë edhe ambicie. Cikli i tij ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duam të vazhdojmë së bashku për t’u përmirësuar edhe më shumë. Shumë shpejt do të takohet me Zhang dhe shpresoj që të vazhdojmë sërish bashkë, për të çuar para këtë projekt”, u shpreh administratori zikaltër.


Shtuar 15.05.2021 19:23